Sermaxhaj pas barazimit me Feronikelin: Të gjithë jemi duke punuar për të qëndruar në Superligë

Trajneri i Drenicës, Sami Sermaxhaj është shprehur optimist për qëndrimin e skuadrës së tij në elitën e futbollit kosovar.

Drenica arriti ta ndalë Feronikelin në një duel elektrifikues ku epilogu i takimit u mësua në minutën e fundit të ndeshjes, shkruan lajmi.net.

Në fakt, Drenica ishte në disavantazh që nga minuta e parë e ndeshjes, por në minutën (90+5′), ishte futbollisti Kreshnik Uka i cili u bë hero i skuadrës së tij duke barazuar gjithçka në stadiumin, Bajram Aliu.

Pas ndeshjes, trajneri i Drenices, Sami Sermaxhaj u shpreh se skuadra e tij është duke punuar për të qëndruar në Superligë.

“Pësuam gol shumë herët dhe ai gol na nxjerri paska jashtë nga loja në fillimin e takimit”, tha ai.

“Në pjesën e parë nuk zhvilluam lojën tonë, por në pjesën e dytë lojtarët ndryshuan rrjedhën e lojës pasi janë angazhuar maksimalisht për çdo top dhe çdo duel në këtë ndeshje të cilën nuk kemi dashur ta humbim asesi”, shtoi ai.

“Jemi duke punuar të gjithë së bashku që të mbesim në Superligë edhe edicionin e ardhshëm”, përfundoi Sami Sermaxhaj.