Politika që la sportin në harresë: Kritika të forta ndaj Kurtit për parakalimin me xhudistet

Dje, xhudistët tanë janë rikthyer nga Lojërat Olimpike “Tokyo 2020” dhe janë pritur në sheshin “Zahir Pajaziti” nga një turmë e madhe e njerëzve.

Ndër personat që priten xhudistët ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që i priti me lule dy medalistet olimpike, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova.

Pasi iu dhuroi lulet, Kurti parakaloi bashkë me xhudistët, presidentin e KOK-ut, Ismet Krasniqi, trajnerin Driton Kuka dhe kryetarin e xhudos, Agron Kuka.

Por, a ishte e nevojshme që Kurti të parakalonte pranë xhudistëve, duke marrë parasysh se në vitet e fundit ndihma e shtetit nuk ka qenë aq e madhe.

Lidhur me këtë çështje, lajmi.net, ka kontaktuar dy analistët e njohur, Faruk Statovci dhe Arsim Thaqi.

Statovci tha se kur i sheh politikanët duke i pritur sportistë i shkaktojnë dhimbje koke, ngase investimet në sport janë të vogla nga shteti.

“Po çka më thonë, na e dimë se sa ka investu politika nëpër sport. Atyre ju intereson më shumë ndonjë tender, aty fokusohen. Por, sporti me medalje po ia dëshmon se ku duhet të investohet”.

“Kur i shoh politikanët duke i pritur sportistët më shkaktojnë vetëm dhimbje koke”, deklaroi Statovci.

Ndërkohë, edhe trajneri Arsim Thaqi, është i mendimit se duhet të investohet më shumë në sport, por beson që shteti i ka ndihmuar xhudos si çdo vit tjetër.

“Mendoj se shteti ka ndihmu, se po të mos ishte shteti ndoshta edhe xhudo nuk do ishte në këtë nivel, por meqenëse jam në departamentin e sportit, i di edhe detaje, shteti vazhdimisht e ka ndihmu xhudon, njësoi si edhe në këtë vit”.

“Nuk ka kurrgjë të keqe sepse sot ka qellu Albin Kurti, para disa vite Hashim Thaqi. Kush do që është në pushtet normal që duhet me u ndje krenar me sukseset e sportistëve të tyre dhe kjo është dëshmia më e mirë se me investu në sport është më mirë sesa në disa gjëra tjera. Ambasadori më i mirë për shtetin tonë në këtë situatë është sporti”, u shpreh tekniku malishevas.

Ndërkohë, kujtojmë se në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020” pa garuar nga sportistët kosovarë ka mbetur vetëm mundësi Egzon Shala, pasi të tjerët e kanë përfunduar aventurën.