Nuhiu: Ndeshja e nesërme do jetë e vështirë

Kampioni në fuqi i Kosovës, Drita, nesër do ta ketë një udhëtim të gjatë por edhe të vështirë.

Lideri i tabelës do të ndeshet me Arbërinë, sfidë kjo që luhet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë në kuadër të javës së 27-të në elitën e futbollit kosovar.

Edhe pse rivali i Dritës, është skuadër që lufton për ekzistencë kjo aspak nuk nënkupton se ndeshja do të jetë e lehtë për djelmoshat e Ardian Nuhiut.

Arbëria ka ditur t’i befasojë skuadrat e mëdha kështu që kampionët nëse duan rezultat pozitiv duhet ndeshjes t’i qasen më shumë seriozitet.

Tekniku shkupjan i Dritës, Ardian Nuhiu në një bisedë për Demokracia.com ka thënë se pushimi dy javor për shkak të ndeshjeve të kombëtareve ka qenë i mirëseardhur, dhe nuk e ka prishur aspak ritmin e punës së skuadrës kjo ndalesë.

“Pushimi ka qenë i mirëseardhur për të gjithë, sidomos për futbollistët sepse ishte një kampionat mjaft i ngjeshur, gjithashtu edhe për futbollistët e dëmtuar që të riaftësohen për vazhdimin e kampionatit. Mendoj se kemi marrë energji prej pauzës. Si trajner shfrytëzuam të analizojmë ndeshjet tona deri tani dhe këto dy javë kemi punuar që të përmirësohemi edhe më tepër”, ka thënë Nuhiu, duke e dhënë më pas lajmin e madh sa i përket kthimit të disa lojtarëve nga lëndimet.

“Nga java e ardhshme grupi do të kompletohet, dëmtimet do të jenë të kaluara dhe kjo do të jetë shumë e rëndësishme për pjesën e fundit të kampionatit që të kemi grupin e kompletuar”, ka vlerësuar Nuhiu.

Sa i përket ndeshjes së nesërme numri një në bankinën gjilanase e ka të qartë se është një ndeshje e fortë dhe por ata janë gati për ta fituar atë.

“Po shohim një kampionat shumë të barabartë. Çdo skuadër ka objektivat e veta dhe secila po lufton që të arrin objektivin e vet. Ndeshja e nesërme do të jetë një ballafaqim mjaft i vështirë. Kemi perballë një skuadër e cila është treguar si kockë e fortë dhe duhet të bëjmë maksimumin që të marrim me të mirën nga kjo ndeshje”, ka përfunduar Ardian Nuhiu.

Të kujtojmë se sfida Arbëria – Drita luhet nesër nga ora 15:00 në Podujevë.