Ndeshja Newcastle – Tottenham u ndërpre përkohësisht për shkak të një emergjence mjekësore

Ndeshja e Premierligës mes Newcastle Unitedit dhe Tottenhamit u ndërpre në pjesën e parë për shkak të një emergjence mjekësore në mes të turmës në stadiumin St James’ Park.

Ndeshja u ndërpre në minutën e 40-të, kur Tottenhami po fitonte 2:1, pasi gjyqtari Andre Marriner u alarmua nga futbollistët dhe tifozët se një person në turmë kishte pësuar një sulm.

Gjatë një rivënie nga këndi, dyshja e Tottenhamit Sergio Regulon dhe Eric Dier ia bënë me dije gjyqtarit se një person kishte kolapsuar në tribunë.

Gjyqtari e ndërpreu lojën dhe ekipet mjekësore të të dy ekipeve i shkuan në ndihmë personit në fjalë.

Pasi u konsultua me policinë, gjyqtari i ktheu lojtarët në zhveshtore dhe ndeshja u ndërpre për rreth 12 minuta.

Newcastle njoftoi se tifozi në nevojë u mjekua në stadium dhe pastaj u dërgua në spital.

“Tifozi, i cili kishte nevojë për ndihmë urgjente mjekësore, është në gjendje stabile dhe rrugës për në spital”, thuhet në njoftimin e klubit, transmeton GE.

Pas rifillimit të ndeshjes, Tottenhami e rriti epërsinë në 3:1.