Munishi zbulon planet e Gjilanit për ta prekur titullin

Trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi ka folur për planet që ka me skuadrën “kuqebardh” për edicionin e ardhshëm.

Munishi në emisionin “Ekipi A” në ATV ka deklaruar se ata tani janë duke bërë planet për edicionin e ardhshëm.

Sipas tij, Gjilani tashmë ka filluar të mendojë për tregun e transferimeve për të rritur konkurrencën.

“Jemi shumë të qetë për t’i bërë planet për sezonin tjetër. E kemi filluar të mendojmë se ku na nevojiten lojtarët që e rrisin konkurrencën. Te ne objektivat janë shumë të mëdha. Besoj që një klub i organizuar si Gjilani, me një president si Florim Zuka e meriton të luftojë për titull edicionin e ardhshëm”, ka thënë Munishi, përcjell Demokracia.

“Unë jam shumë i bindur se titullin e meritojnë edhe tifozët e Gjilanit. Ne duhet të luftojmë drejt këtij qellimi, sa do të ndodh mbetet të shihet”, shtoi ai.