Leotrim Kryeziu “Ylli i javës” në Superligën e Kosovës

Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e Superligës, Bankën Kombëtare Tregtare, vazhdojnë të ndajnë çmimin “Ylli i javës”, për lojtarin më të mirë të xhiros.

“Ylli i javës” për xhiron e 16-të në BKTSuperligë është shpallur futbollisti në radhët e FC Prishtinës, Leutrim Kryeziu.

Sulmuesi 22-vjeçar i bardhekaltërve ishte përcaktues në fitoren që skuadra nga kryeqyteti e realizoi si mysafire në Lipjan kundër Ulpianës, me rezultat 3:0.

Ai shënoi dy gola dhe pati paraqitje të shkëlqyeshme gjatë tërë takimit. Kryeziu shënoi nga një gol në secilën pjesë në minutat 34’ e 85′, teksa me një gol nga penalltia kontribuoi Besnik Krasniqi (57′).

Golin e fundit në këtë edicion Leotrim Kryeziu e kishte shënuar pikërisht ndaj Ulpianës në ndeshjen e javës së 7-të, që ishte mbyllur baras 1:1.

Me këtë fitore FC Prishtina ka ruajtur hapin me skuadrat e kreut të renditjes dhe aktualisht ndodhet në pozitën e 5-të të renditjes në  BKTSuperligës me 6 pikë më pak se lideri FC Ballkani.

Çmimin “Ylli i javës” për sulmuesin e FC Prishtina, e ndau Burim Shala, menaxher i departamentit të korporatave në BKT.