Legjenda e harruar

Shkruan: Musli KRASNIQI

Pas çdo kampionati të futbollit, janë gazetarët, kronistët e institucionet sportive ato që përzgjedhin e shpallin futbollistët më të mirë, të cilët lënë gjurmë në kompeticione.

Dhe historia e futbollit tashmë ka radhitur heronjtë e vet nëpër skemat periodike kampionale.

Krahas kësaj përzgjedhjeje e klasifikimi zyrtar, janë edhe tifozët ata që ndërtojnë idhujt dhe heronjtë e tyre. 

Në vargun e lojtarëve që futbolli ka radhitur ndër dekada, nga këndvështrimi i një tifozi, ende vazhdon të mos e ketë vendin meritor një emblemë, pa emrin e të cilit nuk mund të shkruhet historia e këtij sporti.

Roberto Baggio. Idhulli i tifozerisë për vite me radhë. 

Me emrin e tij lidhet një dekadë futbolli, e sidomos Kampionati botëror i ’94-ës. Por me këtë emër lidhet edhe një fakt tjetër: egërsia dhe padrejtësia që në jo pak raste raste di ta përcjell sportin, sidomos futbollin.

Humbja nga Baggio e penaltisë në finalen Itali-Brazil, ishte, me pa të drejtë, fillimi i trajtimit jodinjitoz dhe rrjedhimisht i zvetënimit gradual të kësaj legjende.

Po të ndodhte e kundërta, pra të shënonte nga pika e bardhë, futbolli italian dhe ai botëror do ta mbante në piedestal figurën e tij.

Megjithatë, është rast i rrallë në histori të sportit, kur më lajm bëhet humbja e penaltisë nga një lojtar se sa fitorja e kampionatit nga një kombëtare. Dhe kjo ndodhë vetëm me emra të kalibrit Baggio.