Koeman: Nuk e imagjinoj Messin me fanellë tjetër, i lumtur që jam trajner i tij

Lionel Messi dhe Barcelona janë futur në muajt e fundit të kontratës që lidh palët dhe gjasat janë që në fund të sezonit ylli argjentinas të largohet drejt një tjetër destinacioni, me Parisin e Manchesterin në krye të listës.

Megjithatë trajneri i katalanëve, Ronald Koeman deklaroi se e ka të vështirë të imagjinojë Lionel Messin me fanellën e një klubi tjetër, ndërsa zbuloi se vijon të mahnitet çdo ditë me ato që argjentinasi bën në stërvitje.

“Vijon të mos imagjinoj dot Messin me fanellën e një skuadre tjetër, përveç asaj të Barcelonës. Më pëlqen që jam trajner i tij, pasi është e pabesueshme të shohësh çdo ditë magjitë e tij në stërvitje. Nuk jam i sigurt nëse do të qëndrojë, por jam besimplotë, pasi ai ka ende shumë për t’i dhënë futbollit dhe këtë mund ta bëjë fare mirë me fanellën e Barcelonës”, deklaroi Koeman.

Ylli argjentinas kërkoi me ngulm largimin edhe gjatë verës, për shkak të përplasjeve të shumta që kishte me presidentin e atëhershëm Joseph Bartomeu, megjithatë katalanët nuk pranuan prishjen e njëanshme të kontratës.

Aktualisht te Barcelona presin zgjedhjen e presidentit të ri në muajin mars, për të provuar të bindin Messin të firmosë një kontratë të re me ta, por ndërkohë klube si Manchester City e PSG po përfitojnë nga rasti që t’i marrin firmën më herët dhe ta transferojnë në fund të sezonit.