Gati për betejën e 25 shtatorit, kush është i pamposhturi që sfidon Marku

Florian Marku rikthehet në ring dhe këtë herë Eddie Hearn i ka gjetur një kundërshtar të fortë, që nuk ka pasuar asnjë humbje deri më tani.

Bëhet fjalë për Maxim Prodan, me të cilin boksieri shqiptar do të diskutojë titullin IBF International Welterweight.

Ky duel, me 12 raunde, ishte programuar të zhvillohej më 7 gusht, por një dëmtim i Markut e shtyu atë dhe do të zhvillohet mbrëmjen e 25 shtatorit, në “Tottenham Hotspur Stadium” ku ndeshja kryesore do të jetë Anthony Joshua-Oleksandr Usyk.

Për t’u kthyer të rivali i Markut, Maxim është një boksier rumun, i cili ka lindur në Ukrainë. 28-vjeçari ka 20 ndeshje në karrierë dhe nuk njeh humbje. Veç kësaj, bie në sy fakti që ai ka triumfuar 19 herë dhe 15 prej dueleve i ka mbyllur me KO.

Një ndeshje Maxim e ka mbyllur në barazim, sikurse ka bërë edhe Marku, i cili numëron 8 fitore në karrierën e tij si boksier.

Herën e fundit ai mposhti me KO teknik Rylan Charlton, ndërkohë që synimi dhe fiksimi i lushnjarit është të ndeshet me Conor Benn.