Duka në Kuvendin e Punës së FFK-së: Kupa Nëna Terezë do të zhvillohet posa t’i kthehemi normalitetit

Federata e Futbollit e Kosovës e ka mbajtur Kuvendin e Rregullt të Punës për vitin 2020.

Pjesëmarrës në Kuvendin që u mbajt  oniline ishin 55 delegatë, ndërsa të pranishmit me një fjalë rasti i përshëndeti presidenti i FSHF-së dhe njëherësh anëtari i KE të UEFA-s, Armand Duka.

“Më lejoni fillimisht t’ju përcjell përshëndetjet më të mira në emër të Presidentit tonë, Aleksander Ceferin dhe Sekretarit të Përgjithshëm, Theodore Theodoridis. Bashkohem me ju në këtë Kuvend jo vetëm si President i FSHF-së dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, por veҫanarisht si një mik i ngushtë i Kosovës, i futbollit të saj, i Agim Ademit e i juaji të nderuar anëtar të Kuvendit të Kosovës”, ka theksuar Duka.

I pari i FSHF-së ka thënë se Kupa “Nënë Tereza” do të mbahet posa t’i kthehemi normalitetit.

“Ky ka qenë një vit i paprecedent jo vetëm për botën tonë të futbollit por më gjerë, për të gjithë shoqërinë. Kjo situatë e vështirë do të ishte e do te jetë e pamundur të tejkalohet nëse nuk jemi të bashkuar, nëse nuk mbështesim e ndihmojmë njëri-tjetrin. Uroj nga zemra që futbollit sa më parë t’i kthehen spektatorët dhe kam besim se Euro 2020 do të rikthejë jetën. Në këto kohë të vështira, bashkëpunimi me FFK-në nuk ka munguar”. “Ne jemi më pranë se kurrë ndaj Federatës së Kosovës nëpërmjet zhvillimit të projekteve të ndryshme si programi HatTrick, apo UEFA Grow, të cilët po punojnë aktualisht për ndërtimin e strategjisë për futbollin e Kosovës për vitet në vazhdim. Covid 19 na pengoi në realizimin e një projekti madhor, për të cilin jemi dakorduar, Kupën “Nënë Tereza”, por jam i bindur që ne do ta realizojmë menjëherë pas rikthimit të normalitetit”, ka shtuar Duka.