“Cristiano Ronaldo nuk është nga ky planet”, Roberto Carlos: Tifozllëk për Interin, Ibra e Lukaku super

Roberto Carlos rikthehet të flasë për Interin dhe shpreson që ky të jetë sezoni i duhur që ish-skuadra e tij të rikthehet te suksesi.

Në prag të duelit të gjysmëfinales së vajtjes në Kupën e Italisë, ish-mbrojtësi i majtë brazilian foli për mikrofonët e “Footballnews24”, pas pjesëmarrjes në edicionin e 80-të të “Football for Friendship”:

“Si interist brenda meje pres që skuadra e Kontes sivjet jo vetëm t’i shkojë deri në fund kupës, por në të njëjtën kohë të shpallet kampione e Serisë A. Diçka të tillë do e doja jo vetëm si tifoz, por pse miku im Havier Zaneti e meriton trofeun e parë si drejtues, pas fitoreve si futbollist. Ndaj, kam shumë shpresa tek Interi sivjet, ashtu sikurse të gjithë tifozët tanë”.

Ndërkohë, si një mbrojtës që ka sfiduar shumë sulmues të mëdhenj, përveçse disa prej tyre i ka parë në aksion nga afër, Carlos është i bindur se jo vetëm në Itali, por edhe në botë, sot e kësaj dite më i forti mbetet Cristiano Ronaldo:

“Është fare e qartë se Ibrahimoviç është një pikë referimi për Milanin dhe pavarësisht moshës së madhe, vazhdon që të shënojë me një vazhdimësi të frikshme. Edhe Lukaku është një futbollist i madh dhe ka një stil të veçantë të luajturi e të shënuari. Por duke e njohur mjaft mirë dhe duke qenë se kam luajtur me të, e them me bindje të plotë se është Ronaldo sulmuesi më i fortë në qarkullim. Kur imagjinon dhe sheh mënyrën sesi ai stërvitet, është e pabesueshme.

Ndaj me intensitetin e të punuarit me trupin e tij edhe në ditët e sotme, mendoj se Ronaldo do të ruajë edhe për të paktën 3-4 vite të tjera pozicionin e liderit dhe të sulmuesit më të fortë në botë. Ai djalë nuk është nga ky planet, përderisa bën ende diferencën në nivele të larta, ndonëse 36 vjeç. Pirlo në stol? Mendoj se Juvja bëri atë që Reali rrezikoi me Zidanin. Por për të arritur atë që fitoi ‘Zizu’ në Madrid, në Torino duhet të kenë pak durim, ndryshe është e kotë”, tha Roberto Carlos.