Berisha u tregua lider, kemi një problem me Hysajn dhe Baren

Nga Neptun BAJKO

Shqipëria zhvilloi një ndeshje të mirë. Natyrisht, po luanim me një kundërshtar të fortë si Polonia, që ka jo vetëm cilësi teknike, por shquhet edhe për rezistencë fizike.

Në këtë aspekt, skuadra jonë u penalizua nga mungesat e shumta me të cilat erdhi në këtë takim. Gjasula, Gjimshiti dhe Cikalleshi janë futbollistë thelbësorë të formacionit tonë dhe në ndeshje si kjo mund të bëjnë diferencën.

Madje, edhe “zbritja” e skuadrës sonë në 20 minutat e fundit u imponua ngaqë kundërshtari ishte më mirë fizikisht, por edhe sepse bëri ndërrime që i dhanë freski. Shqipëria e vuajti këtë pjesë.

SAKRIFICA E SULMIT-Më pëlqeu fakti që Shqipëria në pjesën e parë nuk i dha asnjë shans Polonisë, përkundrazi, pati një mundë- si për të rrezikuar portën, por mungoi bashkëpunimi dhe altruizmi në sulmin tonë. Mirëpo, u pa qartë se megjithëse luanim me Manajn, Uzunin dhe Roshin, ata kishin detyra qartësisht mbrojtëse. Rrjedhimisht, humbën shumë energji dhe ishin të paqartë në veprimet sulmuese, sepse sa herë e preknin topin ishin shumë larg portës kundërshtare.

MESFUSHA DHE MBROJTJA-Mesfushorët vepruan me rigorozitet në detyrat e tyre për të qenë sa më afër reparteve dhe për të bërë si duhet filtrin, me qëllim që Polonia të mos shkonte lirshëm drejt portës. Ia arritën, por mungoi mendimi i shpejtë dhe veprimet harmonike kur duhet të organizonim sulme. Natyrisht, ishte e kuptueshme që kështu do të ndodhte në shumicën e kohës, sepse po luanim me një rival të fortë, por munguan ato rastet kur me një veprim të thjeshtë, po të shpejtë të kapësh kundërshtarin në kundërkohë. Pikërisht edhe këtu u vu re mungesa e Gjasulës, që është një lojtar i cili e tenton shpesh këtë manovër. Ndërsa sa për mbrojtjen, jam vërtet shumë i kënaqur. Më pëlqeu jashtë mase Kumbulla, që me personalitet, forcë dhe zgjuarsi nuk bëri asnjë gabim në fushë.

BERISHA-Më duhet të përgëzoj portierin Etrit Berisha që u soll si një kapiten i vërtetë. Dominoi lojën në ajër, organizoi prapavijën duke u folur vazhdimisht mbrojtësve dhe u tregua i përqendruar gjatë gjithë kohës. Te rasti i golit nuk mund të kritikohet, sepse shkoi gjithçka keq që nga humbja e topit në mesfushë. Berisha këtë herë bëri liderin dhe kjo më pëlqen shumë, sepse roli i portierit në ndeshje të tilla me kaq shumë mungesa është thelbësor.

GABIMI TE GOLAT-Kemi një problem që nuk po e rikuperojmë dot. Disa prej lojtarëve, por më së shumti Bare me Hysajn, e mbajnë shumë topin. E kanë mënyrë të luajti ndoshta edhe në klubet e tyre, por Shqipëria ka tjetër potencial. Nuk kanë pse e mbajnë topin duke rrezikuar, por edhe duke e ngadalësuar manovrën. Unë e përsëris se me ato mungesa dhe me atë kundërshtar, u ndie jashtë mase lodhja fizike. Edhe te goli ndikoi, sepse lojtarët tanë nuk e lexuan si duhet atë pasim të gjatë dhe më pas autori i golit që kishte hyrë në fushë në pjesën e dytë, me freskinë dhe cilësitë e tij e dërgoi topin në rrjetë duke shfrytëzuar një vonesë tonën.