“Armët” kryesore daneze mungojnë kundër Kosovës

Dy qendrat e fuqishme të kombëtares daneze, Kevin Larsen (208cm) dhe Jonas Zohore (210cm) janë infektuar me COVID-19 prandaj do të mungojnë kundër Kosovës, ka bërë të ditur ueb faqja zyrtare e Federatës së Basketbollit të Danimarkës(FBD).

Selektori i danezëve Arnel Dediq u trondit nga lajmi se dy kullat e tij kryesore, Larsen dhe Zohore do të mungojnë të dielën kundër Kosovës dhe është detyruar që t’i zëvendësoj me qendrën nga kampionati danez Sami Eleraky (213cm) i ekipit Randers dhe alon Mathias Bak (198) nga skuadra Fog Næstved. Të dy këta lojtarë më herët kanë qenë pjesë e kombëtares dhe po kthehen duke sjell përvojën e tyre në skuadër.

Kevin Larsen ( C /208cm ) lojtar i Breogan (Liga Endesa)

Jonas Zahore ( C /210cm ) lojtar i Spojnia Stargrad (Extra Liga e Polonisë)

Megjithatë, ky tandem zëvendësues as për së afërmi nuk paraqet rrezik sikurse Larsen i cili luan për skuadrën Breogan në elitën spanjolle të basketbollit (Liga Endesa) dhe Zohore që dominon në superligën polake. Me krejt respektin për zëvendësimet nga të cilat gjithashtu duhet të kemi kujdes por ta humbasësh një lojtarë që luan në ligën nacionale më të fortë në Evropë sikurse është ACB Liga (Endesa) dhe qendrën kryesore të kombëtares është një hendikep i madh dhe pa dyshim një lajm i mirë për selektorin Marmarinos dhe 12 viganët e basketbollit kosovar.

Një tjetër lajm që duhet pasur parasysh shtabi teknik i Kosovës është se danezët kanë edhe dy lojtarë të porsa shëruar nga COVID-19, Sebastian Arisi Petersenin dhe Leonardo Carlinon të cilët u testuan negativ dhe u grumbulluan me skuadër.

Aktualisht, gjendja shëndetësore e tandemit të fundorëve Aris Petersen dhe Carlino po përcillet nga ana e mjekëve të kombëtares së Danimarkës dhe sipas ueb faqes zyrtare të FBD-së, ata kanë pasur formë të lehtë të infektimit. Megjithëkëtë, të enjten (sot) Arisit dhe Carlinos do t’ju përsëriten COVID-19 testet dhe ata do t’i nënshtrohen sprovës fizike për të dëshmuar nëse janë të gatshëm për duelin me Kosovën.

Sipas FBD, kryetrajneri i danezëve Arnel Dediq pritet që sonte pas ndeshjes Norvegji – Kosovë ta caktoj listën finale të 12-shes daneze e cila do të vjen në Prishtinë.

Lista e re me 15 emra është kjo:

Asbjørn Midtgaard ZZ Leiden (Holandë)

Bakir Serdarevic Horsens IC (Danimarkë)

Daniel Mortensen Thor Thorlakshofn (Islandë)

David Knudsen AB Albacete (Spanjë)

Frederik Houggaard Nielsen Fog Næstved (Danimarkë)

Frederik Rungby Sixers (Gjermani)

Gustav Knudsen Casademont Zaragoza (Spanjë)

Leonardo Carlino BMS Herlev Wolfpack (Danimarkë)

Mads Bonde Stürup Basquet Girona (Spanjë)

Martin Poulsen Fog Næstved (Danimarkë)

Mathias Bak Fog Næstved (Danimarkë)

Noah Churchill UCAM Murcia (Spanjë)

Sami Eleraky Randers Cimbria (Danimarkë)

Sebastian Åris Petersen Svendborg Rabbits (Danimarkë)

Sylvester Berg Real Valladolid (Spanjë)

Si duket fati që e kishte përcjell Kosovën vitin e kaluar në Fluskën e Bratisllavës kur në ndeshjet vendimtare kundër Sllovakisë dhe Islandës ishim paraqitur pa komplet 5-shen startuese pasi kishin munguar, për shkak të infektimit me COVID: Dardan Berisha, Samir Zekiqi dhe Gëzim Morina si dhe kullat shtatlarte, Shon Jones dhe Lis Shoshi të lënduar. Me mungesën e këtyre 5 lojtarëve, ekipit tonë i kishin munguar 45.5 pikë, 20 kërcime, 10.5 asistime dhe 6 topa të vjedhur.

Kësaj here situata është pak më ndryshe dhe Kosova është komplete kurse danezët gjenden në situatë identike sikurse ishim ne, pikërisht një vitë më herët, transmeton KK.

Këto lajme duhet të jenë motiv shtesë për Dardanët të cilët sonte nga ora 19, në Bergen të Norvegjisë nisin ciklin e ri të parakualifikimeve.