Nga vera, Leart Paqarada do të luajë në Bundesligë. Nga fundi i marsit, me shumë mundësi, do të luajë për Kosovën.

Dhe kështu ngritja e madhe e mbrojtësit të krahut të majtë mund të vlerësohet e kompletuar.

28-vjeçari, të hënën, ka zyrtarizuar transferimin nga St. Pauli i Bundesligës 2 te Koelni i Bundesligës. Lëvizja vlen për verën e ardhshme, ndërsa Paqarada më në fund do të luajë në Bundesligë.

Thuajse gjithë karrierën si senior ai e ka kaluar në Bundesliga 2. Deri më tani i ka 230 ndeshje, ndërsa do t’i luajë edhe disa të tjera deri në verë. Më pas do të jetë koha për t’u testuar në Bundesligë, njërën prej pesë ligave më të forta evropiane të futbollit.

Paqarada, i vlerësuar mbrojtësi i majtë më i mirë në Bundesliga 2, në këtë nivel garash ka shënuar nëntë gola dhe ka bërë 36 asistime. Ai ka luajtur edhe në ligën regjionale e po ashtu në ligat e kategorive të reja të futbollit gjerman.

Ka qenë edhe më herët në klube të Bundesligës, por pa depërtuar në ekipin e parë. Werder Bremeni, Bayer Leverkuseni, Sandhauseni dhe St. Pauli janë skuadrat e tij të deritashme. Te Sandhauseni qëndroi nga viti 2014 e deri në vitin 2020, ndërsa te St. Pauli është prej vitit 2020. Ai ka luajtur për Gjermaninë U16 e U17, për Shqipërinë U21 e ka një ndeshje, ndërsa për Kosovën A i ka 24 ndeshje e një gol.

Skuadra e ardhshme e Paqaradës, Koelni, aktualisht është në vendin e 11-të në Bundesligë. Nuk vlerësohet se rrezikon rënien. Paqarada ka firmosur kontratë të vlefshme deri në vitin 2026. Ai aktualisht është kapiten i St. Paulit, por gjithnjë ka synuar paraqitjen në Bundesligë. Në dy vjetët e fundit ka shkëlqyer te St. Pauli dhe tani po merr shpërblimin.

Te Koelni presin që Leart Paqarada të përmirësohet ende.

“Learti ka shfaqur në vazhdimësi nivel të lartë në Bundesliga 2 në vitet e fundit dhe ka kualitet të madh, sidomos kur e ka topin. Nëse e zhvillon lojën pa top, atëherë Learti sjell shumë të mira për skuadrën tonë”, ka thënë drejtori menaxhues i Koelnit, Christian Keller.

Paqarada e vlerëson Koelnin shtëpi të tij. Dhe është i lumtur që kthehet në këtë qytet.

“Jam shumë krenar që do ta veshi fanellën e Koelnit nga stinori i ardhshëm. Një qytet i tërë që jeton dhe e do klubin me shumë emocion. Të kthehem në qytetin ku jam rritur dhe që gjithnjë e kam parë si shtëpi, është ndjenjë e jashtëzakonshme për mua. Deri në verë do të jem plotësisht i fokusuar te St. Pauli, të cilit i jam borxhli dhe ku dua të kujtohem gjithnjë në aspektin pozitiv”, ka thënë Paqarada.

Paqarada është i lindur në Aachen të Gjermanisë.

Paqarada aktualisht vlerësohet edhe mbrojtësi i majtë më i mirë i Kosovës. Por ai jo shumë shpesh ka shfaqur te Kosova nivelin që e shfaqte në nivel skuadrash. Dhe jo gjithnjë ishte zgjedhja e parë në formacionin e Kosovës.

I pakënaqur me hapësirë, ai në mars të vitit 2021 vendosi të largohej nga Kosova. Kishte shkruar se nuk do të luante për Kosovën për sa kohë që Bernard Challandes të ishte selektor. Challandes ndërkohë u largua, ndërsa Paqarada nuk u ftua deri në shtator të vitit të kaluar. Dhe kthimi iu shty për shkak të një lëndimi.

Bazuar në formën që po e kalon dhe mungesën e opsioneve në pozitën e mbrojtësit të majtë, me shumë mundësi Paqarada do të ftohet nga selektori Alain Giresse për ndeshjet e marsit, që janë të parat në kualifikimet për Euro 2024. Kosova më 25 mars luan në udhëtim ndaj Izraelit, ndërsa më 28 mars e pret Andorrën.

Kthimi eventual te Kosova do të kompletonte ngritjen e Paqaradës dhe do të konfirmonte momentin më të mirë në karrierën e tij./Koha/