Trepça triumfoi në derbin ndaj Pejës në udhëtim, ku më i miri në parket për mitrovicasit ishte qendra Will Daniels.

Ai për 24 minuta në parket kishte 25 pikë, nëntë kërcime, një asistim, dy topa të vjedhur dhe një bllokadë.

Daniels ishte më i miri i kësaj ndeshjeje dhe xhiros së 19. Ai u ndihmua nga Mikaile Tmusiq me 20 pikë e gjashtë kërcime. Tmusiq dalëngadalë po rikthehet në formën e dikurshme.

Dardan Berisha zhvilloi një ndeshje të jashtëzakonshme përballë Bashkimit. Kapiteni i Kosovës ndaj prizrenasve realizoi 29 pikë, gjashtë kërcime e shtatë asistime, duke qenë basketbollisti më i mirë i ndeshjes dhe ndër më të mirët e kësaj jave.

Ponte Prizreni iu rikthye fitoreve, ku mundi Rahovecin, ndërsa u dallua basketbollisti i Kosovës, Meriton Ismaili. Ai shënoi 28 pikë apo shtatë herë nga tri pikë nga nëntë tentime sa i kishte.

Golden Eagle Ylli vazhdoi me fitore, që ishte e 15-të ndaj Vëllaznimit, ku më i miri ishte kapiteni i therandasve dhe qendra e Kosovës, Gëzim Morina. Ndaj kuqezinjve kishte 13 pikë, gjashtë kërcime dhe dy asistime.

Top pesëshja

Will Daniels (Trepça) 25 pikë, 9 kërcime, 1 asistim

Dardan Berisha (Sigal Prishtina) 29 pikë, 6 kërcime, 7 asistime

Meriton Ismaili  (Ponte Prizreni) 28 pikë, 2 kërcime

Mikaile Tmusiq (Trepça) 20 pikë, 6 kërcime

Gëzim Morina (Golden Eagle Ylli) 13 pikë, 6 kërcime, 2 asistime