Rafa Nadal shokon Australian Open duke u eliminuar në raundin e dytë.  Kampioni në fuqi, i cili ishte kokë serie në hedhjen e shortit, u mposht nga amerikani Mackenzie McDonald.

Numri 65 i renditjes eleminoi spanjollin me rezultatin 6-4, 6-4, 7-5. Nadal, 36 vjeç, pësoi një problem me këmbën e majtë në fundin e setit të dytë. Ai u trajtua nga fizioterapisti dhe vazhdoi të luftonte duke u dorëzuar pas dy orësh e 30’.

Në tribunë, bashkëshortja e tij, e pranishme në Australi me djalin e tyre, shpërtheu në lot nga nervozizmi dhe dëshpërimi, ndërsa Rafa vazhdonte ndeshjen. Nadal kishte fituar në raundin e parë në katër sete me britanikun Jack Draper. Me 2000 pikët e humbura, Nadal tashmë është i sigurt se do të largohet nga Top-5 e renditjes ATP.

Në fund të takimit Nadal, dukshëm i dëshpëruar nga dëmtimi i radhës që i kushtëzon karrierën, tha: “Jam i lodhur duke komentuar dëmtimet. Kisha një problem në këmbë lart, por nuk jam i bindur se çfarë është. Më duhet të bëj kontrolle të tjera përpara se të flas me siguri. Nuk isha në gjendje që të ktheja topin në vrap e sipër. Doja të dorëzohesha por vazhdova”.