Karim Benzema raportohet se mund t’i bashkohet Kombëtares së Francës në Kupën e Botës në Katar, sipas “RMC Sport”.

Këto raportime vijnë pasi nga shtypi spanjoll u raportua se sulmuesi i Real Madridit tashmë është rikuperuar nga lëndimi.

Benzema u detyrua të tërhiqej nga grumbullimi me “Gjelat”, ende pa zhvilluar Franca ndeshjen e parë në këtë turne.

Megjithatë, fituesi i “Topit të Artë” duket se është rikuperuar më shpejt nga sa mendohej. Sipas mediave të shumta spanjolle, 34-vjeçari mund të rikthehet në stërvitje këtë mesjavë.

Kësisoj, ëndrra e Benzemas për t’u paraqitur në Kupën e Botës mund të jetë ende e realizueshme.

Sipas rregullave të FIFA-s, ish-sulmuesi i Lyonit mund të rikthehet në skuadrën e Francës dhe të luajë në pjesën e mbetur të turneut pasi ai u përfshi në skuadrën fillestare, raporton GE.

Emri i tij figuron ende në listën e të ftuarve nga Didier Deschamps, pasi përzgjedhësi francez nuk e zëvendësoi Benzeman me ndonjë futbollist tjetër.