Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), ka mirëpritur inicimin e procedurës disiplinore të FIFA-s ndaj FF të Serbisë.

Federata serbe e futbollit të shtunën u akuzua nga FIFA për varjen e një pankarte politike për Kosovën në dhomat e zhveshjes përpara se të luante me Brazilin në Kupën e Botës.

Pankarta tregonte ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe hartën e territorit të Kosovës në mes me mbishkrimin “nuk dorëzohemi”.

FFK të dielën përmes një njoftimi, ka thënë se mirëpret inicimin e procedurës disiplinore të FIFA-s ndaj FF të Serbisë.

“Jemi të lumtur të shohim reagimin e shpejtë të FIFA-s, me rastin e fillimit të hetimit kundër Federatës së Futbollit të Serbisë pas shfaqjes së banerit me hartën e Kosovës me flamurin serb brenda saj dhe me mesazhe urrejtje dhe luftnxitëse në zhveshtoren e përfaqësueses serbe dhe në stadium, në ndeshjen ndërmjet Brazilit dhe Serbisë, në kuadër të Kupës së Botës në Katar. Nga FIFA kemi marrë konfirmimin për pranimin e ankesës sonë dhe njëherësh kemi marrë vlerësimin e tyre të lartë për FFK-në, që përkushtohet për ruajtjen e integritetit e reputacionit të futbollit dhe që ankesa jonë tregon përkushtimin tonë në mbrojtjen e vlerave dhe parimeve të cilat i afirmon FIFA Ne do të vazhdojmë të jemi në kontakt me organet përkatëse të FIFA-s për çdo informatë ose dokument shtese nëse kanë nevojë lidhur me hetimin e këtij rasti”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Tutje në këtë njoftim, thuhet se “si FFK do jemi çdoherë të gatshëm të ruajmë dinjtetin e futbollit dhe reputacionin e Kosovës, duke reaguar dhe vepruar konform mekanizmave të FIFA-së dhe UEFA-s, në të cilat bëjmë pjesë”.