Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA), ka hapur procedurën disiplinore ndaj Serbisë.

Sipas ‘AP’, Federata serbe e futbollit u akuzua nga FIFA të shtunën për varjen e një pankarte politike për Kosovën në dhomat e zhveshjes përpara se të luante me Brazilin në Kupën e Botës.

Pankarta tregonte ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe hartën e territorit të Kosovës në mes me mbishkrimin “nuk dorëzohemi”.

Shtëpia më e madhe e futbollit pritet që së shpejti të marrë një vendim përfundimtar lidhur me këtë rast.

Procedura disiplinore u hap në bazë të nenit 11 të Kodit Disiplinor të FIFA-s dhe nenit 4 të Rregullores për Kupën e Botës.

“Komiteti Disiplinor i FIFA-s ka hapur procedurat kundër Federatës së Futbollit të Serbisë për shkak të një flamur të shfaqur në dhomën e tyre të zhveshjes me rastin e ndeshjes Brazil – Serbi”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se dje Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), dërgoi një ankesë në FIFA lidhur me rastin në fjalë, derisa kanë reaguar edhe Ministria e Sportit (MKRS) dhe Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK).