Rafael Nadal nuk e mbylli shkëlqyeshëm këtë sezon, pasi në ATP Finals, turneun e më të mirëve që po zhvillohet në Torino, ai u eliminua në fazën e grupeve.

Spanjolli fitoi ndeshjen e fundit, por ajo ishte sa për statistikë, pasi dy humbjet e mëparshme kishin vulosur fatin e tij në këtë turne.

“Kanë qenë muaj të vështirë këto që kam kaluar dhe që duhet të kaloj në të ardhmen, por i kam pranuar të gjitha sfidat. Kjo është jeta. Nga nesër do të nisë për mua puna për sezonin e ri në tenis, nis puna për vitin 2023. E vetmja gjë që mund dhe duhet të bëj tani e tutje është të punoj sa më shumë. Të bëj gjithçka që më duhet për të pasur një shans për të fituar sërish”, u shpreh Nadal. Më tej, fituesi i 22 grand slam flet të ardhmen. Në janar do të luajë në Australian Open, ku është kampion në fuqi.

“Dua ta nis vitin 2023 me mundësi reale për të fituar kudo që luaj. Unë nuk e di nëse do të rikthehem në nivelet e dikurshme, këtë gjë do ta tregojë fusha. Ajo që di është se do të bëj maksimumin për t’u rikthyer edhe sikur ta di që vdes në fushë”, ka shtuar spanjolli.