Besim KAJTAZI

Në një periudhë kohore mbi 50 vjeçare, sporti shqiptar në përgjithësi dhe ai i Kosovës në veçanti i kanë dhënë shtetit tonë emra të shquar të sportistëve dhe trajnerëve…

Karriera e tyre, u zhvillua në kushte tejet të rënda, me vështirësi të shumta, sidomos në kohën e pavarësimit të sportit të Kosovës, kur sportistët më eminentë shqiptarë, i thanë jo pushtimit të Kosovës, më 1989, duke formuar ligat elite në të gjitha degët sportive; në futboll, basketboll, hendboll, volejboll, boks, atletikë, karate, pingpong, shah dhe shumë sporte të tjera…

Për futbollin dhe qëndresën gjatë periudhës 1991-1999 janë shkruar libra e monografi, njëjtë edhe për hendbollin e herë- herë edhe për sportet tjera.

Me këtë rast po i veçoj disa Federata të kësaj qëndrese patriotike, të cilët në kushte të shtetrrethimit  të egër ushtarak e policor serb, vepruan legalisht me ligat elite të organizuara, duke i dëshmuar Evropës së në Kosovë, sporti po vepron si i pavarur.

Këtë histori të artë të qëndresës shqiptare, nuk është mirë ta harrojmë, ndërsa për ta përkujtuar atë duhet të përkujdesen Federatat përkatëse të sportit të Kosovës…

Në arenat sportive, ku u zhvilluan ligat elite të Kosovës dje, mungojnë pllakat përkujtimore sot, gjë që nuk është mirë për historinë më te re të sportit të Kosovës…

Gjurmët e sportit dhe të pavarësisë së Kosovës nuk bën të zhduken, ato duhet t’i ruajmë dhe kultivojmë…

Këtë presim ta bëjnë në vazhdim të gjitha Federatat tona, të cilët tashmë veprojnë lirshëm në gjirin e të gjitha asociacioneve sportive ndërkombëtare…

Historia nuk  duhet të harrohet, ajo duhet të shkruhet edhe pse ka pasur shkrime edhe më parë, por ato nuk mjaftojnë…

Nderim të veçantë meritojnë edhe gazetarët  sportivë të cilët historinë e sportit të pavarur të Kosovës  e publikuan në vazhdimësi në gazetat e Kohës dhe ishin të pranishëm gati në të gjitha ngjarjet sportive, edhe atëherë kur policia serbe ndërhynte me dhunë për të ndërprerë garat që po zhvilloheshin anekënd Kosovës, duke arrestuar e malltretuar drejtues  të skuadrave, gjyqtarë e sportistë …

Nderim për të gjithë drejtuesit e sportit  të Kosovës dhe sportistët, të cilët i thanë jo robërisë, jo parasë dhe vepruan për shtetin e pavarur që e gëzojmë sot…

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe  ndërhyrja e aleatëve perëndimorë në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e bënë realitet ëndrrën shqiptare, lirinë  e Kosovës …

Sportistët  dhe drejtuesit e sportit të Kosovës ishin patriotë  në periudhën më të vështirë të pushtimit të Kosovës, pra ata janë edhe liria vet…

Harresa nuk është e mirë!…