Istogu ka kurorëzuar një edicion të jashtëzakonshëm me titull të kampionit të Kosovës në hendboll. Titullin e dytë në histori, skuadra istogase e siguroi të mërkurën pasdite në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.

Istogu fitoi ndaj skuadrës Ferizaj me rezultatin 26:25. Ishte kjo fitorja e dytë e hendbollisteve të Istogut në serinë finale të plejofit. Ndeshjen e parë të luajtur të shtunën në Istog, skuadra e Faruk Shalës e kishte fituar me rezultatin 32:31.

Ky edicion i Superligës së Kosovës ishte shumë i suksesshëm për istogaset. Ato i kanë fituar të gjitha 22 ndeshjet e stinorit të rregullt. Gjysmëfinalen e plejofit e kaluan me dy fitore ndaj Vushtrrisë. Ndërsa edhe në finale me Ferizajn i shënuan dy fitore. Pra Istogu e mbylli edicionin me 26 fitore nga 26 ndeshje të luajtura.