Lëvizje në aksin Barcelonë-Milano, Interit i ofrohet një brazilian

Drejtuesit e Interit vazhdojnë të punojnë në lidhje me zëvendësuesin e Achraf Hakimit. “Raketa” e krahut të djathtë të mbrojtjes së ekipit kampion në Itali, do të sakrifikohet për të mbushur arkat bosh dhe zikaltrit synojnë të përfitojnë 70 milion euro prej tij.

PSG dhe Chelsea janë klubet e interesuara për 22-vjeçarin nga Maroku.

Disa emra janë përfolur si zëvendësuesit e tij. Filip Kostic i Eintracht Frankfurt është një prej dëshirave, por jo vetëm. Interi ka pëlqim edhe për Emerson Royal.

22-vjeçari brazilin u rikthye te Barcelona pak ditë më parë për shumën e 9 milion eurove sipas akordit që ishte arritur me Real Betis.

Lojtari dëshiron të qëndrojë në “Camp Nou” për të provuar shanset e tij, por klubi katalanas ka nevojë për para.

Mundo Deportivo raporton se agjentët e lojtarit latin, të cilët kanë marrë leje nga drejtuesit e Barçës, kanë vizituar zyrat e kampionëve të Italisë për të biseduar rreth mundësisë së kalimit të Emerson Royal nën urdhrat e Simone Inzaghit. Presidenti Laporta kërkon 25 milion euro për kartonin e tij.