Dardanët zhvilluan stërvitjen e fundit para miqësores me Gambinë

Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar stërvitjen e fundit në Antali para miqësores së radhës kundër Gambisë, e cila zhvillohet nesërmbrëma në orën 19:00.

Edhe gjatë kësaj stërvitje futbollistët kanë punuar me zell të madh, teksa kanë aplikuar në praktikë të gjitha instruksionet e përzgjedhësit Challandes.

Ndeshja me Guinenë i ka shërbyer ekipit që të jetë më kompakt dhe tani pritet që lëshimet e bëra në ndeshjen paraprake të evitohen, në mënyrë që të nxirret rezultat pozitiv, edhe pse Gambia vlerësohet si një ekip që luan taktikisht mjaft mirë dhe nuk hapet shumë gjatë lojës.

Gjithsesi, atmosfera dhe harmonia brenda ekipit të Dardanëve është e mirë dhe të gjithë presin që në ndeshjen e nesërme të japin maksimumin e tyre dhe të bëjnë paraqitje sa më të mirë.