Partizani, në hap me kohën…

Shkruan: Besim KAJTAZI

Duke shikuar logon e skuadrës së trofeshme shqiptare KF Partizani, Tiranë, e pashë se logoja që mbanë skuadra është ende ajo e vitit 1946, kur edhe u themelua Partizani, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kur në Shqipërinë e çliruar u instalua sistemi komunist…

Logoja është tepër e thjeshtë dhe jashtë standardeve të sotme, të skuadrave evropiane e botërore.

Një logo të tillë e pati gjatë kohës së sundimit komunist edhe skuadra e mirënjohur kroate Hajduku i Splitit, mirëpo, pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe mëvetësimit të shtetit, logoja e re, e ndryshuar përmban dizajnin e qenësisë kroate, duke mënjanuar yllin e kuq si relikt i komunizmit…

Ndryshime kanë bërë edhe shumë skuadra të tjera të ish-shteteve komuniste…

Është koha e fundit që drejtuesit e skuadrës shqiptare, Partizani, pas gjitha atyre ndryshimeve që i kanë bërë në organizimin e ri, t’ia gjejnë edhe një logo të re KF Partizanit, që përkon me realitetin e ri të krijuar në futbollin evropian…

Logoja aktuale është e tejkaluar historikisht, prandaj ndryshimi është i domosdoshëm, i ekipit që doli 16 herë kampion i Shqipërisë, u stolis me 15 kupa të Republikës, kurse në vitin 1970, Partizani i Tiranës u stolis edhe me titullin e kampionit të Ballkanit…

(Autori është ish-redaktor i sportit në ish-gazetën e përditshme “Rilindja” dhe bashkëthemelues i gazetës së parë sportive “Kosova Sport”)